Kombëtarja Shqiptare e Futbollit ka qenë një nga pak të përbashkëtat e shqiptarëve kudo që ndodhen, edhe pse në rregulloren sportive, ajo përfaqëson Republikën e Shqipërisë. Djem të lindur brenda territorit të Shqipërisë, por më shumë jashtë saj, në Kosovë e ndonjëherë edhe në Zvicër apo gjetkë kanë luajtur për ngjyrat tona duke u bërë ëndrra dhe emocioni i shqiptarëve të të gjitha trojeve.
Mirëpo për statistikë, apo për të zgjatur e degëzuar ca më tej historitë e kësaj kombëtareje, që nuk na mjaftojnë asnjëherë, janë përmendur vazhdimisht edhe orgjiniat lokale të futbollistëve…Cana dhe Kukeli nga Gjakova, Berisha i lindur në Prishtinë, Basha, Xhimshiti, Gashi dhe Xhaka në qytetet e Zvicrës, Lila dhe Cikalleshi në Kavajë, Balaj në Shkodër, Sadiku në Elbasan…por dikush tha që është çam. E dëgjoi këtë dhe Enkel Demi dhe “u zyrtarizua”.
Mirëpo në një intervistë me të atin e Armando Sadikut, trajner futbolli, është thënë që origjina nuk është nga Çamëria. Ai ka thënë që vjen nga fshati Trebisht i Dibrës ndërsa mamaja e Armandos, nga Podujeva, me mbiemër Xhaka, fis i vëllezërve Xhaka. Ndërsa Armandoja ka lindur në Elbasan.
Kjo është historia, së cilës i ka vënë pikën Enkel Demi. Ai ka botuar një shkrim në 27.al, “Për çamin Armando Sadiku”.
… disa ditë më parë u nisa nga një sterotip; Armando Sadiku, njeriu që shënoi golin e parë historik të Shqipërisë në Europian është çam. Me këtë mbiemër është një fis shumë i nderuar çam që jeton në Durrës, të cilët janë pasardhësit e patriotit Jasin Sadiku nga Margëlliçi. E dija që sulmuesi ynë ishte me origjinë nga Dibra, rritur në Elbasan, si më pas fort bukur e ka sqaruar vetë babai i tij. Por, thashë po e bëj këtë eksperiment. Tek e fundit, njerëz si unë do të kërkojnë përherë shtigje ngatërrestare për t’u zbavitur. Arsyen do e them pak më poshtë. E bëra.
Nuk e llogaris dot më sa herë është shpërndarë ky lajm në rrjetet sociale. Dhjetra mijëra herë. Nuk e di tek sa shqiptarë ka mbërritur ky lajm, sa të tjerë janë ndjerë krenarë, të motivuar apo të bezdisur nga ky kumt. Kjo, pasi edhe në këtë rast doja të shihja si reagonin njerëzit ndaj sterotipit e të qenit çam. Kjo është arsyeja e parë. Në fakt, reagimet kundër që Armando Sadiku është çam ishin të dobëta, sporadike, pasi shumica e përgëzonin çunin tonë edhe për këtë gjë. Kishte po aq pak që donin ta sqaronin historinë e tij mes Elbasanit e Cërrikut dhe mirë bënin. Të tjerë me shumë të drejtë, madje me krenari të lënduar, më thonin që ç’rëndësi kishte nga e kishte origjinën djali, rëndësi ka që është shqiptar, punë e madhe nëse ishte geg apo tosk. Me thënë të drejtën zemra m’u bë mal, sepse pas kaq tallazesh që kanë kaluar çamët sterotipi negativ i krijuar për ta nga komunistët duket është davaritur në ndërgjegjen qytetare.
Por ka pasur edhe një aryse tjetër, që e ka ndarë me publikun, Enkel Demi.
“Unë kam gjithë jetën që jam çam. Nuk u bë kiameti, nëse Armando Sadiku u bë i tillë për 24 orë”, shkruan ai.